Vllaznia deklaratë kunër arbitrit Jorgji: Gjykim tendencioz, provokoi futbollistët e tifozët

Vllaznia deklaratë kunër arbitrit Jorgji: Gjykim tendencioz, provokoi futbollistët e tifozët

September 1, 2019 0 By VloraLajme

Vllanzia ka dalë me një deklaratë zyrtare, një ditë pas ndeshjes ndaj Tiranës, ku ka hedhur akuza të rënda ndaj arbitrimit të kryesorit Enea Jorgji. Në reagimin e shkodranëve falënderohet tifozëria për pjesëmarrjen masive në shkallët e stadiumit, por theksohet se ka qenë pikërisht arbitrimi i njëanshëm dhe tendencioz i Jorgjit që ka provokuar reagimet aspak normale të tyre. Sipas klubit Vllaznia, Jorgji ka penalizuar shkodranët me vendimet e tij, duke mohuar një penallti të pastër, por edhe duke komunikuar në mënyrë arrogante, gjë që solli nervozizëm te futbollistët dhe që u reflektua më pas edhe te spektatorët.

Deklarata e plotë e klubit Vllaznia:

Klubi i Futbollit Vllaznia falenderon tifozerinë e mrekullueshme shkodrane për mbështetjen në ndeshjen me Tiranën. Si gjithmonë, tifozeria ishte “lojtari i 12-të” për kuqeblutë. Nga shkallët e “Loro Boriçit” por edhe nga filmimet e mediave, u pa qartë se Vllaznia u penalizua nga një gjykim aspak profesional, aspak i paanshëm i arbitrave të ndeshjes dhe sidomos kryesorit Enea Jorgji. Një sjellje e tillë e arbitrave penalizoi Vllazninë me mohimin e dy penalltive, njëra nga të cilat u pranua dhe nga vetë trajneri i ekipit kundërshtar dhe të gjithë specialistët në studiot sportive. Gjatë gjithë ndeshjes, sjellja arrogante e arbitrit ishte provokuese dhe në dëm të garës e rezultatit të saj, rezultat i cili nuk reflektoi atë që u tregua në fushën e blertë. Kjo jo vetëm acaroi futbollistët në fushën e lojës, por krijoi reaksion edhe tek tifozeria në shkallët e stadiumit. Në Shkodër është luajtur dhe luhet futboll gjithmonë. Në “Loro Boriçi” janë duartrokitur ekipe që edhe kanë shënuar ndaj Vllaznisë tonë. Shkodra ka dhe do të ketë gjithmonë tifozerinë më të mirë në të gjithë Shqipërinë sepse Shkodra dhe futbolli janë në një simbiozë mëse njëshekullore.

Arbitrimi i Enea Jorgjit dhe ndihmësve të tij, solli një rezultat aspak të merituar për Vllazninë, e cila sivjet ka objektiva të qarta. Sivjet, Vllaznia me skuadrën që ka ndërtuar, me stafin teknik të përzgjedhur, ka synim të luftojë fort dhe ndershmërisht për trofetë e sezonit dhe pjesëmarrjen në Kupat e Europës. Si gjithmonë, nuk kërkojmë asgjë më shumë se drejtësi në fushën e blertë e jashtë saj, gjykim të paanshëm dhe profesional në “Loro Boriçi” dhe në çdo stadium tjetër.