Të brak tisësh detin për të pushuar në… Razmë të Shkodrës

Të brak tisësh detin për të pushuar në… Razmë të Shkodrës

July 13, 2019 0 By VloraLajme

Pasi ke lënë pas Shkodrën, në më pak se 45 min arrin në Razëm, një nga fshatrat më të bukur të turizmit malor, në veri të vendit. Bukuritë natyrore të Razmës, fillon ti shijosh që kur fillon dhe udhëton në rrugën e ngushtë, mes maleve.
Por edhe pse ende pa shkuar në fshat, turistët e parë që kërkojnë të shijojnë mrekullitë e natyrës së alpeve shqiptare, shfaqen që në orët e para të mëngjesit. Steisy dhe Thomas, bukurinë e alpeve shqiptare, e zbuluan në internet dhe vendosën ta vizitonin vet vendin tonë.

“Do të qëndrojmë 21 ditë. Erdhëm pasi pamë shumë foto të natyrës dhe ishte shumë e bukur, kjo është arsyeja pse jemi këtu”, thotë Steisy. Erdhëm për shkak të alpeve, pamë shumë foto të maleve, pyjeve dhe lumenjve në internet dhe dëshironim ti shihnim nga afër vet. Pamë që Shqipëria është shumë miqësore ndaj turistëve, plus është edhe shumë ekonomike, pasi ne jemi student dhe s’kemi shumë para”, është shprehur Thomas.

“Po planifikojmë të shkojmë në liqenin e Komanit, ne Theth e Valbonë. Fillimisht do të udhëtojmë drejt Boges, më pas drejt Thethit e Valbonës”, u shpreh Steisy. E ndërsa vijon udhëtimin, brenda pak minutash, të shfaqet një ndër pamjet më të veçanta. Shtëpi pushimi në mes të një pylli me pisha, të rrethuara nga majat e larta të alpeve shqiptare. Fëmijë që luajnë, e të rritur që pushojnë.

Prej vitesh Razma është një nga destinacionet më të njohura për turizmin malor. Vetëm 42 kilometra larg nga Shkodra, natyra e saj, e bën Razmën një vend të preferuar për turist vendas e të huaj. Ish- mjeku Tonin Trashaj, është një ndër vizitorët më të rregullt të Razmës. Prej me shumë se 30 vitesh, ky fshat, është vendi ku ai pushon gjatë muajve të verës.

“Kam më shumë se 30 vite që vij, gjatë 30 viteve kam ardhur çdo verë, ndërsa 10 vitet e fundit kam qëndruar rreth dy muaj. Ka një klimë të bute, qoftë për moshën, qoftë për fëmijën, qoftë për sëmundjen. Nuk ka një klimë të egër, si është Thethi psh. Qoftë bukuria, pamja që është madhështore është jashtëzakonisht qetësuese”, ka thënë ish-mjeku, Tonin Trashaj. Por ka edhe nga ata pushues, që në Razëm janë për herë të parë, duke tradhtuar bregdetin pas shumë vitesh. Në Razëm nuk mungojnë as banorët e zonave për rreth, të cilët e kanë vendin e preferuar për piknik.

Por ata nuk harrojnë të tregojnë as mikpritjen e famshme veriore. Ndërkohë që në Razëm, hotele dhe shtëpi pushimi vijojnë të ndërtohen, duke rritur kapacitetet akomodues të kësaj pike turistike, por nuk mungojnë as bujtinat familjare.

“E kuptova që e ardhmja ishte te bujtina, i përshtatet kësaj zone”, është shprehur Engjell Babaj, pronari i bujtinës. Ajri i pastër, natyra pothuajse e paprekur, pritja plot bujari, e bën Razmën një vend të preferuar për të kaluar jo vetëm ditët e nxehta të verës, por për ta vizituar në çdo stinë. Top Channel