Dy mërgimtarët nga Kosova që shpëtuan nga vet ëvrrasja nënën e dy fëmijëve jetimë

Dy mërgimtarët nga Kosova që shpëtuan nga vet ëvrrasja nënën e dy fëmijëve jetimë

July 12, 2019 0 By VloraLajme

Jeton prej 8 vitesh vetëm më dy fëmijët e saj dhe shpesh herë e ka çuar ndër mend që t’i japë fund jetës. Pa banesë, pa punë dhe mbi të gjitha pa ushqim për fëmijët, Edlira është zhytur në disfatën dhe tragjedinë që i solli vdekja e të shoqit. Mbeti e vetme dhe me dy fëmijë të vegjël, Klean dhe Keolin.

Edlira Alimetaj: Në 2008 fejohem, martohem… vij nga një familje shumë e varfër. Babai im ishte i paralizuar. Emigroj pas martesës në 2008 në Greqi. Atje lind vajzën e djalin. Pas tre vitesh më vdes im shoq dhe u detyrova të kthehem në Shqipëri. U ktheva sërish në fshat dhe jetova atje për 3 vite, por doja që fëmijët t’i shkolloja. Fillova punë dhe gjeta një banesë me qira… po bëj 8 vite dhe tashmë jam dorëzuar, nuk e përballoj dot më… nuk e di se çfarë do të bëj.

Kam tentuar të vetëvritem, por për shkakun e fëmijëve jam bërë e fortë. Më thonin të tjerët çoji fëmijët në jetimore… ashtu i binte të shkoja vetë në atë botën tjetër. Ose do të vdes me gjithë fëmijët ose… nuk mund t’i lë ata, se për ata jetoj. Ata më kanë mbajtur gjallë gjithë këto vite. Kam qenë vetëm 24 vjeçe kur më vdiq im shoq dhe mbeta fillikat me dy fëmijë të vegjël.

Shumë herë kemi mbetur pa bukë… me 20 lekë (2 cent). Me ato 20 lekë i kam blerë fëmijëve nga një copë bukë të thatë.

Edlira jeton tashmë në Berat dhe ashtu siç dhe e pohon ajo vetë, është e dorëzuar. Emisioni “shqiptarët për shqiptarët” dhe jo vetëm, u interesuan për rastin e saj. Elvis Naçi shkoi së bashku me bashkëshorten për t’i takuar fëmijët dhe Edlirën. Në banesë vjen dhe komshia e Edlirës, një grua në moshë e cila është kthyer në thuajse një nënë për vetë 32 vjeçaren dhe për dy fëmijët e saj jetimë. Xhuli prej vitesh e ndihmon Edlirën dhe përlotet kur tregon sesi i gjeti poshtë pallatit, pasi i kishin përzënë nga shtëpia me qira.

Komshia, Xhuli: Kam ndenjur në atë banesë në katin e parë. Por ata i nxorrën. Ishte Edlira vetëm më pak rroba dhe qëndronte në cepin e pallatit, në mes të ftohtit. Ka qenë dimër dhe nuk e harroj atë pamje. Fëmijët dridheshin dhe im shoq më tha, hajde t’i fusin tek kjo dhomë, ku dhe jemi tani. Për bukë nuk llogaritej fare. Imagjinoni që Edlira duhej të shkonte në punë dhe të qëndronte atje për 10 orë për 240 mijë lekë, pa asnjë pushim…Fëmijët qëndronin vetëm në shtëpi. Kjo nënë është shumë e guximshme dhe ka jetuar vetëm me djersën e ballit të saj.

Elvisi: Ne të falenderojmë shumë Xhuli, sepse po ta bëjnë të gjithë këtë, nuk do kishim këtë varfëri.

Xhuli: Unë nuk kam bërë asgjë të madhe, kam gatuar paksa më shumë. Shikoji ata fëmijë, s’mund të mos rrija pa bërë diçka.

Xhuli i thotë Naçit se një tjetër familje në nevojë duhet parë nga emisioni dhe i kërkon me ngulm që të shkojnë ta shohin së bashku me Edlirën dhe fëmijët. Por Edlira ende nuk e ka kuptuar se ishte një rreng, pasi ajo po shkon në banesën e saj të re. Me të hyrë në banesë, komshia i përqafon fëmijët e gëzuar dhe e përlotur dhe i thotë Edlirës se ka hyrë në shtëpinë e saj.

Naçi: Edlira ishte një surprizë. Nuk kishte familje tjetër të varfër, por doninm që të të sillnim tek shtëpia jote e re. Donim tëta bënim surprizë.

Edlira: Jo kurrë… unë mendova se do më ndihmonin diçka, por kurrë se do hyja në një shtëpi brenda ditës. Nuk arrij ta besoj (qan).

Pas lotëve të gëzimit të Edlirës, Elvisi thërret në banesë dy shqiptarë të Kosovës. Ata kanë ardhur nga larg posaçërisht për të parë me sytë e tyre banesën për të cilën kanë qenë kontribuuesit kryesorë.

Naçi: Edlira ta gëzosh shtëpinë. Bashkë me ne këtu, janë dy shqiptarë shumë të mirë. Më kanë thënë që duan të ndihmojnë një familje me jetimë. Astriti dhe Arianiti janë vëllezër nga Kosova dhe janë ata që ua kanë blerë banesën.

Astriti dhe Arianiti vijnë në banesën e re të Edlirës. Astriti, i cili është baba vetë i dy vajzave dhe një djali, preket dhe përlotet kur sheh dy fëmijët jetimë. Pak fjalë thotë, pasi sytë i mbushen me lotë. Por në fund edhe ai lumturohet kur përqafon fëmijët e Edlirës.

Në emisionin “shqiptarët për shqiptarët” Astrit Shabani dhe Arianit Hyseni tregojnë se kanë ardhur nga Zvicra për të ndihmuar një familje në nevojë.

Astriti: Si shqiptarë në emigrim ne kemi ndoshta kushte me te mira, ne gjithmonë e ndjekim emisionin.

Emisioni na prek gjithmonë kur e shikojmë, mua vetë  personalisht më pikëllon. Gjithnjë kam dashur që të ndihmoj një familje në Shqipëri.

Për arsye se Shqipëria është e jona, ne jemi një komb. Në vitin 1999 gjatë luftës ne shqiptarët e Kosovës, na kanë pritur si vëllezër.  Kam dashur shumë edhe për këtë arsye ta bëj një bamirësi në Shqipëri.

Arianiti, i lindur në Zvicër, jo vetëm që ka ndihmuar Edlirën me para për blerjen e banesës por edhe për një tjëtër rast dramatik që emisioni “shqiptarët për shqiptarët” ka transmetuar disa javë më parë. Rasti në fjalë është i Alkidit, i cili vuante nga skolioza dhe rrezikonte jetën. Alkidi hyri në operacion falë ndihmës së shqiptarëve, dhe njëri prej tyre, Arianiti ka dhuruar plot 10 mijë euro për rastin e djaloshit shqiptar.

Arianiti: Shqipen nuk e kam harruar, prindërit na kanë mësuar gjuhën shqipe dhe shqiptarinë. E kam ndjekur që prej emisionit të parë… kam qarë me videot që keni postu dhe ua shpërndaj gjithë miqve dhe familjarëve… jam shumë krenar që jam këtu ulur sot me ju.