Ndryshime në qeverinë, tre nga pesë ministrat e rinj janë shqiptarë

Ndryshime në qeverinë, tre nga pesë ministrat e rinj janë shqiptarë

June 28, 2019 0 By VloraLajme

Pas debatesh që zgjatën dy ditë, parlamenti i Maqedonisë së Veriut miratoi të enjten para mesnate ndryshimet në kabinetin qeveritar të kryeministrit Zoran Zaev. Për secilin prej pesë ministrave që marrin detyrën u votua veç e veç. 3 prej tyre janë shqiptarë: Hisni Ismaili, përfaqësues i partisë Alternativa do të jetë ministër kulture; Naser Nuredini i Bashkimit Demokratik për Integrim shkon në krye të Ministrisë së Ambientit jetësor, dhe Sadulla Duraku po i BDI-së, merr portofolin e ministries se re të Sistemit Politik.

Ministrat Dragan Tevdovski, Hazbi Lika dhe Suhejl Fazliu u shkarkuan të mërkuren nga parlamenti, ndërsa Zoran Shapuric e Lupço Nikollovski dhanë dorëheqjen. Zaev, që fillimisht synonte të merrte edhe postin e Ministrit të Financave për një kohë të caktuar, u tërhoq pas debatesh të ashpra nga opozita, por dhe nga paralajmërimet e Komisionit kundër korrupsionit, qe argumentoi se mbajtja e dy funksioneve paraqet konflikt interesash.

Shefi i ekzekutivit e la bosh vendin e ministrit të Financave deri në gjetjen e një kandidati të përshtatshëm për ta drejtuar këtë post të rëndësishëm. Opozita, si maqedonase edhe ajo shqiptare e kanë quajtur farsë riorganizimin e kabinetit qeveritar të Zaev, ndërkohë që edhe në opinionin publik ka pasur mjaft kritika nga analistët, sipas të cilëve duheshin bërë ndryshime rrënjësore, të largoheshin ministrat e dyshuar për korrupsion e shpërdorim tenderash.