“I lyej buzët me buzëkuq të kuq edhe nëpër varrime”, Iris Luarasi habit me deklaratën e saj

“I lyej buzët me buzëkuq të kuq edhe nëpër varrime”, Iris Luarasi habit me deklaratën e saj

May 20, 2019 0 By VloraLajme

Sa herë që e shohim nëpër daljet televizive nuk mund ta mendojmë pedagogen dhe aktivisten Iris Luarasi pa pamjen e saj të kuruar në detaj dhe sidomos buzët e kuqe. E kjo në fakt është edhe ajo çka e bën të veçantë dhe e bën të duket me karakter akoma më të fortë përballë publikut që i drejtohet. Në një intervistë për emisionin “Rreze Dielli” në Report Tv, Luarasi është shprehur se nuk del kurrë nga shtëpia pa lyer pak buzët, e kjo sepse sipas saj një bjondeje me lëkurë të bardhë i nevojitet pak tonalitet në fytyrë.

“Unë them që çdo grua dhe çdo vajzë ka nevojë për pak buzëkuq. Nuk ka asnjë njeri që nuk do ndryshonte në momentin që vë një buzëkuq.”, tha Luarasi për “Rreze Dielli”

Buzëkuqi është armë e fortë e që fsheh mesazhe të shumta, e megjithatë, ajo që të bën përshtypje në bisedën me Iris Luarasin është fakti që ajo vendos një ngjyrues buzësh edhe në ceremoni mortore. Kjo është një gjë e pazakontë në traditën shqiptare ku gratë përgjithësisht vishen me të zeza dhe nuk vendosin grim. Por për Luarasin kjo çështje lidhet me respektin që tregohet në një ceremoni të atillë. Sipas saj nuk kemi pse të ndahemi me të dashurit tanë në mënyrën më të shëmtuar të mundshme, por mund të zgjedhim ti themi mirupafshim me dinjitet.

“Unë mendoj se kjo ka lidhje për respektin që ke ti edhe për ceremoninë e vdekjes. Më kujtohet një histori e një shoqes time e cila ishte e martuar me një italian dhe kur i vdiq vjehrra na tregoi që ajo kishte qenë gjithë kohës me sytë me lot, e enjtur, e palyer dhe e veshur e gjitha me të zeza. Ndërkohë kunata e saj që kishte humbur mamanë ishte krehur dhe kishte shkuar si zonjë në ceremoni. Kjo gjë e saj më ka ngelur në mendje dhe thashë që kjo gjë është diçka shumë e vërtetë, se nuk dyshoj fare që dashurinë më të madhe e ka patur e bija krahasuar me nusen. Ndaj them që ka lidhje me atë kulturën që duhet krijuar edhe këtu tek ne. Kur një njeri i dashur largohet, ti i thua mirupafshim me dinjitet, nuk ke pse i thua mirupafshim në mënyrën më të shëmtuar të mundshme.”- u shpreh Luarasi

Gjatë intervistës, Iris Luarasi tha se numëron më shumë se 30 ngjyrues buzësh, por ka disa që i ka shumë të preferauar e që përgjithësisht janë ngjyrat e ndëzura. Në ndryshim nga mamaja, vajza e saj e cila është ende 12 vjeç duket se i kushton më shumë rëndësi rehatisë se sa pamjes së jashtme. Me të qeshur, pedagogia e fakultetit të Filologjisë ka thënë për “Rreze Dielli” se edhe kur shkon të blejë bukën do të vendosë pak ngjyrë në buzët e saj.

“Unë them që edhe kur dal të blej bukën, e shoh një herë veten edhe them që jo, duhet të vendos pak buzëkuq, se nuk kushton asgjë. Është vetëm një minutë punë.”, ka thënë pedagogia dhe aktivistja Iris Luarasi.