Rrë fimi i truprojës së Enver Hoxhës: Takimi i fshe htë me kolonelin gjerman

Rrë fimi i truprojës së Enver Hoxhës: Takimi i fshe htë me kolonelin gjerman

May 17, 2019 0 By VloraLajme

I zgjedhur nga radhët e partizanëve të Brigadës së Parë, ku kishte kontribuar me trimëri qysh nga dita e krijimit të saj, Hajredin Meçaj, në fillimdimrin e vitit ’44, u komandua të shërbejë pranë Shtabit të Përgjithshëm në grupin e truprojave të Enver Hoxhës.

Veç brengës për ndarjen me shokët që luftonin në vijën e parë, ballë përballë me okupatorin, detyra e porsanisur e përballi me të tjera sprova e përjetime, me vështirësi e të papritura të gjithfarëllojta, por mbi të gjitha me përgjegjësi shumë më të madhe, pasi në ato rrethana tejet kritike, ai me një grup të vogël partizanësh duhej të ruante shtabin qendror të Lëvizjes Nacionalçlirimtare.

Përtej lodhjes e sfilitjes nga shërbimet e sforcuara, Hajredin Meçaj pati mundësinë të njohë nga afër personalitetet kryesore dhe më të rëndësishme të Luftës, dhe jo vetëm, duke filluar nga Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Tuk Jakova, Spiro Moisiu, Liri Gega, Hysni Kapo, Kadri Hazbiu, Koçi Xoxe, Fadil Hoxha, Zai Fundo, Shefqet Peçi, Arif Hasko, e deri te misionarët jugosllavë, Miladin Popoviçi e Dushan Mugosha. Ai, si rrallëkush nga bashkëluftëtarët, mbajti shënime për çdo ditë e ngjarje nga ajo periudhë historike, të cilat pas Luftës i sistemoi dhe i ruante me kujdesin më të madh. Pa pretenduar se arkivonte kësisoj dëshmish zyrtare për atë pjesë të historisë, ish-truproja i Enverit nuk i përdori asnjëherë ato për të demonstruar kontributin e vet, por thjesht për t’u çmallur, siç pohonte ai, me kujtimet e atyre ditëve të papërsëritshme.

Atëherë kur nisi përplasja e madhe për rolin e Luftës dhe u shfaqën pseudohistorianët e parë, që mohonin çdo gjë për gjakun dhe kontributin e bashkëluftëtarëve të tij, mendoi t’i nxjerrë në dritë dhe t’i bëjë publike, ashtu thjesht, pa bujë, siç shfaqej edhe vetë mes shokëve dhe të njohurve. Janë dorëshkrime të shkruara thjesht, me një stil të qartë, në dukje bardhë e zi, por që thellë-thellë zbulojnë ca të vërteta të çuditshme, që aty-këtu bien ndesh edhe me historinë e shkruar nga fitimtarët dhe udhëheqësit e tyre, duke u shfaqur si dëshmi autentike të asaj lufte, të ekzistencës pa ngjyrime propagandistike të personalitetit të drejtuesit, shokut, komandantit, bashkëluftëtarit. Hajredin Meçaj, në kujtimet e tij, zbardh episode interesante, që nuk i zë në gojë historiografia e kohës.

Ai, për herë të parë, hedh dritë mbi një takim të paditur që Enver Hoxha ka pasur me një kolonel gjerman në vitet e luftës, por jo vetëm kaq. Ishtruproja e udhëheqësit, sakaq, nuk nguron të sjellë raste të padëshirueshme që ka parë dhe dëgjuar gjatë asaj periudhe, siç ka qenë vrasja e djalit të shtëpisë, ku strehohej Enveri pse ishte regjistruar në radhët e Ballit Kombëtar. Pa cenuar autenticitetin e dorëshkrimeve, “Panorama”, duke nisur nga sot, do të publikojë pjesët kryesore të kujtimeve të Hajredin Meçajt, ish-partizanit të Brigadës së Parë, që shërbeu si truprojë i Enver Hoxhës në vitet e luftës…

NGA BRIGADA E PARË TE SHTABI I PËRGJITHSHËM

Nga Frashëri u nisëm katër vetë, Ali Gostivari, Ramadan Çitaku, unë dhe Karafili. Morëm me vete një kalë, posaçërisht për Aliun e sëmurë. Sapo filloi të binte një shi me stuhi. Unë kisha veshur vetëm një bluzë angleze. Kisha shumë ftohtë. Ali Gostivari kishte veshur një xhup meshini, me gëzof nga brenda. Aty për aty e hoqi dhe ma dha mua. Nuk e pranova. Aliu, gjysma shqip dhe gjysma serbisht, më thoshte: “Merre, vzemi, vzemi”. Ai kishte dhe veshje të tjera. U desh ndërhyrja e Ramadan Çitakut që ta merrja e ta vishja. Me këtë xhup kam shumë fotografi të Luftës. Në fshatin Panarit mbërritëm më 10 shkurt të vitit 1944. Të parët që takuam ishin disa shokë që merreshin me përgatitjen e vendit dhe shtëpive, ku do të banonte e punonte udhëheqja e Luftës. Nga Korça kishin sjellë një sasi ushqimesh. Për herë të parë këtu vumë re një burrë të shkurtër e të trashë. Ishte i veshur mirë. Pyetëm për të dhe na thanë se është nga Korça.

As vetë nuk e di, por na la një përshtypje jo të mirë. Nuk ishte tërheqës, orë e çast paraqitej sikur ishte më i madhi aty. Për ne partizanët nuk tregoi asnjë interes, as na pyeti se nga vinim. Natyrisht, që nuk na erdhi mirë. Ishim mësuar në Brigadë, ku realisht e ndienim veten të barabartë si partizanë e si komunistë. Më vonë mësuam se ky njeri quhej Koçi Xoxe. Shtëpia ku do të vendosej Shtabi i Përgjithshëm ishte një banesë dykatëshe me mur guri. Hyrjen e kishte nga lindja. Nga brenda dalloheshin një palë shkallë druri. Në katin e dytë kishte katër dhoma me një korridor të madh. Të zotët e shtëpisë e kishin boshatisur shtëpinë dhe ishin vendosur në një shtëpi aty pranë. Në një shtëpi tjetër pranë, një dhomë ishte caktuar për ne partizanët, dy dhoma i kishte i zoti i shtëpisë. Korridorin e kishim të përbashkët.

I zoti i shtëpisë quhej Çoke. Një familje shumë e mirë, fukarenj, por shumë bujarë. Megjithëse ne kishim ushqimet tona, Çokja nuk hante gjë pa neve. Xha Çokja na fliste për vuajtjet e tij. Gjithë jetën kishte punuar larg familjes si murator me të dy djemtë. Ishte burrë me humor, mbante një palë mustaqe të dredhura, trupshkurtër, qimekuq. Atëherë mund të ishte 45 vjeç, por ne na dukej më i madh dhe i flisnim me xha Çoke. Në përgjithësi, Panariti ishte me lëvizjen. Rrallë kishte në anën e kundërt. Ishte një fshat i madh. Ndonëse fukarenj, shtëpitë i kishin të ndërtuara mirë, mbasi në përgjithësi punonin si muratorë. Brenda shtëpive shihje vetëm sqeparin, çokun dhe mistrinë.

Gati e gjithë toka ishte shtuf. Aty-këtu nëpër kopshte shihje ndonjë mollë e kumbull të egër. Klima ishte shumë e ftohtë. Dëbora fillonte në vjeshtën e dytë dhe shkrinte në mars-prill. Pak ditë pas mbërritjes në Panarit, nga Voskopoja erdhën Muço Gjoka dhe Niko Dollaku. Në një nga këto ditë na thirri Koçi Xoxe dhe na tha se do të vinin dhe shokë të tjerë dhe do të organizonim shërbimin. Në fakt, ishim mërzitur. Kishim lënë shokët tanë në brigadat partizane, ku jeta në kolektiv, ndonëse me vështirësi, kalohej mirë. Na torturonte mendimi se ishim shkëputur nga vija e parë e kishim kaluar në prapavijë. Aty nga data 16 shkurt na mblodhi Ali Gostivari. “Sot vjen udhëheqja e Luftës, ndaj do dalim t’i presim”, na tha. Zbritëm afër një përroi, nga ku dukej qartë gjithçka para nesh. Pas pak, në lagjen e Xhamisë, përroit u duk një masë njerëzish që ecnin në kolonë. Midis tyre pashë një burrë të gjatë, të cilin e kisha parë dhe dëgjuar në sheshin e Makërzës në Vithkuq të Korçës, më 15 gusht 1943 në ceremoninë e formimit të Brigadës së Parë.

Midis partizanëve qarkullonte emri Taras. Kjo ishte hera e dytë që e shikoja tek ecte me hap të madh nëpër rrugën e mbuluar me borë. Këpucët i kishte me qafa, mbante çorape të bardha të kthyera mbi qafat e këpucëve, tirqe, kthyer nën gju nja dy-tri centimetra, pantallona qillota ngjyrë bezhë dhe gjerdan me fishekë me gjithë pistoletë për mesi. Dallohej një xhamadan leshi i bardhë me shirita të trashë të zinj anash dhe një qeleshe e bardhë në kokë. Na takoi të gjithëve si të njohur të vjetër dhe na pyeti me radhë se nga ishim e nga cilat reparte partizane kishim ardhur.

“Juve,- na tha Enveri- jeni nga partizanët më të mirë, jeni të provuar në beteja dhe patjetër nuk u ka ardhur mirë që jeni ndarë nga shokët e brigadës dhe nga Lufta. Po dhe ne këtu bashkë me juve, në luftë jemi apo jo?” Pas këtyre fjalëve qeshi pak. “Po, po,- i thamë – me një gojë, ndonëse mendjen e kishim atje në vijën e parë, midis shokëve të Brigadës… Megjithëse i lodhur dhe i rraskapitur i sapodalë nga rrethimi në Shqipërinë e Mesme, Enveri filloi menjëherë nga puna. Llamba me vajguri rrinte e ndezur pothuaj gjithë natën. Vetëm afër mëngjesit, Tarasi binte për të fjetur. Nuk bënte më shumë se tre-katër orë gjumë.

NJË USHTARAK GJERMAN NË SHTABIN E PËRGJITHSHËM

Aty nga 25 shkurti, më thirri Enveri mua dhe Qazimin Malin. Na porositi që të shkonim në një fshat rreth dy orë larg Panaritit, në Juglindje të Staraveckës. Aty do të merrnim dy oficerë gjermanë dhe do t’i sillnim në Panarit. “Kini kujdes,- na tha,- se nuk janë robër, i trajtoni mirë”. Kur shkuam në vendin e caktuar, gjetëm katër partizanë të zonës së Beratit me të dy oficerët gjermanë, njeri kolonel dhe tjetri kapiten.

I morëm në dorëzim dhe u kthyem në Panarit. Të dy oficerët ishin të armatosur. Koloneli kishte vetëm pistoletë, ndërsa kapiteni pistoletë dhe automatik. Siç na thanë shokët e Beratit, oficerët kishin ardhur me veturë të shoqëruar nga tre ushtarë. Ata i kishin lënë në Gllavë të Beratit. U takuam me ta, duke i nderuar me grusht e duke u thënë “Vdekje fashizmit”. Ata na nderuan alla gjermançe dhe pasi takuam duart me ta, nisëm rrugën. Kapiteni na pyeti nëse dinim të flisnim italisht. I thamë se shumë pak. Sakaq, ai na tha: “Dove andare?”. Kërkonte të dinte vendin. I thashë Qazimit të mos fliste. “Do të dijë fshatin”, -i thashë shqip, ndërsa kolonelit i shpjegova me shenja se duhej të ecnim rreth dy orë. Kur mbërritëm në Panarit në zyrat e Shtabit, gjermanët i lashë jashtë me Qazimin, ndërsa vetë i raportova shokut Enver për mbërritjen e tyre. “Bjeri lart”, më tha. I thashë se kanë armë. “Sa armë kanë?”,- më pyeti. “Tre”,-iu përgjigja.

“Ne kemi 27”,- më tha dhe shtoi. “Bjeri siç janë dhe mos i çarmatos”. “Hall i madh”,- thashë me vete dhe po rrija drejt pa folur. Enveri ma kuptoi gjendjen dhe më tha: “Zbato urdhrin!”. U largova i pabindur në drejtësinë e urdhrit. Shkova mora dy oficerët gjermanë dhe u futëm në katin e dytë. Në korridor kapiteni i dorëzoi Qazmit automatikun. Brenda ishin gati të gjithë shokët e Shtabit. Koloneli sa u fut te dera, nderoi. Shokët e grupit iu përgjigjën me grusht. U takua me të gjithë dhe u ul në karrige. Pas tij, në këmbë, qëndroja unë dhe pas kapitenit Qazimi. Enveri kishte një zakon, kur nuk duhej që ne të qëndronim brenda, na i thoshte, ndërsa në këtë rast nuk foli. Kjo do të thoshte se ne duhej të qëndronim aty. Një çast, Enveri porositi Qazimin për t’i thënë Vitorisë për të sjellë kafenë. Duke pirë kafenë, koloneli pyeti nëse dinte ndonjëri frëngjisht. U përgjigj Enveri, duke i thënë se mund të bisedonin nëse dëshironin. Nga veshja gjysmë fshatari prej Çermenike, kolonelit sikur nuk ia mbushi syrin Enver Hoxha. Atë e tërhiqte uniforma italiane e Spiro Moisiut. Në bisedën e parë që bëri koloneli pyeti se kush ishte ndër ta Mehmet Shehu. Aty për aty, Enver Hoxha e sqaroi se Mehmeti nuk ishte i pranishëm. Koloneli i tha se ai kishte punë direkt me të. “Mund t’ia themi ne atij porosinë tuaj”, i tha Enveri. Atëherë, koloneli sqaroi se në fushën e Gumenicës, të Vlorës, ishte rrëzuar një aeroplan i tyre dhe piloti ishte kapur i gjallë.

“Kërkojmë ta lironi, në këmbim u lirojmë sa partizanë të doni”, shtoi ai. Pasi u shpjegoi shokëve të shtabit përse bëhej fjalë, Enveri u kthye prapë nga koloneli. “Neve nuk dimë gjë për pilotin, po të jetë kështu, ua lëroj,pak punë na prish, por neve nuk mendojmë se juve keni ardhur vetëm për këtë”. “Po të jeni kompetent, mund të bisedojmë për shumë gjëra,-tha koloneli. -Ju po vriteni e po shkatërroheni kot, neve jemi në tërheqje, na lini disa porte si Saranda, Vlorën, Durrësin e Shëngjinin, jemi gati t’u dorëzojmë të gjitha qytetet, duke përfshirë dhe Tiranën.

Mund t’i çarmatosim të gjithë ballistët, ata i kemi nën komandë. Vendin e takimit caktojeni ju dhe dërgoni një përfaqësues. Bisedimet u garantojmë se do të jenë të fshehta, të mos marrin vesh aleatët tuaj”. Enverin nuk e zinte vendi nga padurimi e nervozizmi kur dëgjoi këtë propozim. Ua përktheu shokëve dhe foli: “Në vend që t’ju pyesim ne që pse keni ardhur në Shqipëri, kush ju ka ftuar, pse po vrisni e shkatërroni popullin shqiptar, na pyesni ju ne pse luftojmë dhe bëheni shumë bujarë të na dorëzoni qytetet e të çarmatosni Ballin Kombëtar, të cilin e keni shërbëtorin tuaj. Ne do t’ju luftojmë si grabitës të lirisë, me ju na ndan vetëm gryka e pushkës.

Keni gabuar adresë zotërinj. Ne jemi aleatë të koalicionit antifashist dhe si të tillë do të luftojmë deri në shfarosjen e ushtarit të fundit nazist në Shqipëri”. Në këtë frymë u zhvillua e tërë biseda dhe koloneli u tërhoq e u hodh në një çështje tjetër. Ne ndiqnim me vëmendje bisedën sepse gjithçka që thuhej përkthehej nga Enveri për shokët e Shtabit. Edhe për përgjigjet ai merrte mendimin e tyre, mandej i kthente përgjigje kolonelit. Nga tema në temë dhe koloneli bëri një propozim tjetër. “Juve zini ushtarët tanë robër dhe i vrisni, po kështu edhe ne. Unë,- vazhdoi ai mendoj që robërit të mos vriten, por të këmbehen.

Kam fuqi të plota për një marrëveshje të tillë. Enveri, si e konsultoi propozimin me shokët, duke shprehur dhe dakordësinë e tij, shpjegoi: “Kjo,- u tha atyre,-për ne ka shumë rëndësi, mbasi njihet Ushtria jonë nacionalçlirimtare si ushtri e rregullt”. Pas kësaj, Enveri iu drejtua kolonelit: “Jemi dakord, po kemi disa kushte. E para, për një rob gjerman të na lironi dy partizanë. Kjo të jetë e qartë. Ju jeni pushtues e keni hyrë pa u ftuar në vendin tonë. E dyta, listën e partizanëve që do të na lironi nga burgu do ta bëjmë ne, se ne i njohim partizanët. Në burgjet tuaja ka edhe ballistë e zogistë për arsye që i dini ju, por i dimë dhe ne. Ata janë o vjedhësa ose vrasës”. Me këto kushte u ra dakord. Unë me Qazimin i përcollëm përsëri të dy ushtarakët gjermanë deri në vendin ku na u dorëzuan nga grupi partizan i zonës së Beratit.

Marrë nga Panorama