Pamje nga kantieri/ Si duket deri më tani ‘Rruga e Arbrit’, kur pritet të përfundojë /VIDEO

Pamje nga kantieri/ Si duket deri më tani ‘Rruga e Arbrit’, kur pritet të përfundojë /VIDEO

May 17, 2019 0 By VloraLajme

“Rruga e Arbrit” që lidh Peshkopinë me Tiranën në më pak se një orë, duke lehtësuar qarkullimin e qytetarëve dhe të mallrave mes dy zonave, ka hyrë tashmë në fazën përfundimtare të betonimit dhe hidroizolimit.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje nga punimet në këtë rrugë, e cila do të shkurtojë në mënyrë të ndjeshme rrugën ekzistuese që përdoret sot nga Tirana për në Dibër me gjatësi 180 km, duke ndikuar në zhvillimin e zonave.

“Mirëmëngjes dhe me këto pamje nga kantieri i punës për ndërtimin e Rrugës së Arbërit, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.

Kjo nyje lidhëse, pjesë e rrugës së vjetër Egnatia dhe tashmë pjesë e rëndësishme e Korridorit 8, është një nga investimet më të rëndësishme për modernizimin e infrastrukturores rrugore të vendit.

Në bazë të kontratës rruga duhet të përfundojë brenda 44 muajsh, por me volumin e kryer dhe me angazhimin e konçensionarit pritet që rruga të përfundojë më herët.

“Rruga e Arbrit” do të bëhet një korridor lidhës i rëndësishëm Lindje-Perëndim. Rruga kalon në Qarkun e Tiranës – në Njësinë Administrative të Zall-Bastarit dhe nëpërmjet tunelit të Murrizit, rruga kalon në territorin e bashkisë Klos e konkretisht në fshatrat Drezës, Xibër, Shkallë, fshati Fshat.

Pas daljes nga tuneli i Qafë-Buallit rruga kalon në afërsi të urës së Cerenecit, si dhe në të djathtë të fshatit Shupenzë.

Kjo rrugë lidh rajonet Lindore dhe Verilindore të Shqipërisë, duke përmirësuar transportin e banorëve që jetojnë në zonat në të cilën kalon rruga, si dhe siguron transportin e burimeve natyrore nëntokësore, siç është kromi, nga Bulqiza për në portin e Durrësit, i cili më pas eksportohet.

Gjithashtu ky aks rrugor do të jetë rruga më e shkurtër që lidh Tiranën me Dibrën, si dhe me veriun e Maqedonisë, Dibrën e Madhe, Tetovën dhe Shkupin, pra do të jetë rrugë lidhëse ndërkombëtare.