SHARRAJT – Familja patriote nga Vlora

SHARRAJT – Familja patriote nga Vlora

October 7, 2018 1 By VloraLajme

Sharrajt, patriotët dhe ndërtuesit e Vlorës.
Ata njihen mirë në Vlorë si familje e madhe, ardhur prej brezash këtu, ndërsa bashkë me aktivitetin e gjerë tregtar, duket se mbartën edhe kalvarin e gjatë të persekutimit.
Pasardhësit kujtojnë se ky i fundit filloi 90 vjet më parë, kohë kur dy prej vëllezërve Sharra i mbyllën në kafaz në ishullin e shkretë të Sazanit, për të vazhduar e ashpër 25 vjet pas kësaj….
Qysh në mesin e shekullit XIX, midis familjeve të mëdha vlonjate nxjerr krye dhe familja Sharra, të cilët shquheshin për tregti, sidomos me shtete të tilla, si: Italinë, Selanikun dhe Spanjën, por edhe ndërtimin e litërvijeve (punishteve të vajit të ullirit). Një familje e vjetër nacionaliste, familje tregtarësh e me pasuri të madhe, ndërsa shumë prej pinjollëve u arsimuan jashtë vendit, ku spikatin talentet në fushën e shkencave dhe në sporte.
75-vjeçari Dejvi Sharra nuk e fsheh dot trishtimin teksa tregon historinë e mbiemrit të vet. Pasardhësit e inxhinierit të Maliqit, njeriut që u ekzekutua publikisht si sabotator, u mbajtën peng për vite të tërë, ndërsa pyetja “Çfarë e keni Avdul Sharrën?” shumë herë u rrihte si çekan, duke përcjellë kundërgoditjen “Kush e ka radhën?”.
Dejvi pohon thuajse prerazi: “Na persekutuan, sepse ishim pasardhës të një familjeje të madhe e të pasur. Babai im vrau veten në burg, xhaxhai im vdiq në burg. Për ne nuk ishte e lehtë. As derën s’të hapnin sapo merrnin vesh se vinim nga kjo familje. Padyshim ai që njihej thuajse nga të gjithë ishte Abdyl Sharra. Për inxhinierin e Maliqit u shkruan romane, u bë film, dhe ai ishte personazhi negativ. U thurën deri legjenda”. Duke u ndalur tek Avduli, Dejvi vijon të tregojë: “Faktet ishin shumë më ndryshe.
Inxhinieri, ish-nxënësi i “Harry Fultz”-it në Tiranë dhe i diplomuar në Fakultetin e Inxhinierisë në Romë, ndoshta do të bëhej kokë turku, pasi vinte nga shkolla amerikane dhe mbante mbiemrin Sharra. Në të vërtetë Avdul Sharra iu përvesh punës për rindërtimin e rrugëve dhe urave të shkatërruara. Një dokumentacion i plotë mbërrin nga Ura e Mifolit.
Ura e rindërtuar prej tij është edhe sot në këmbë. Ura e Penkovës afër Drashovicës, ndërtuar në kushte mjaft të vështira, mban ende firmën e tij”. Por nga ana e pushtetit duhej gjetur një shkak për eliminimin. Këneta e Maliqit iu besua inxhinier Sharrës. Iu kërkua që ajo të thahej për vetëm 8 muaj. Por kjo nuk mund të ndodhte vetëm me entusiazëm e pa mjete. Si rrjedhojë pesë vetë, mes të cilëve edhe Avduli u akuzuan për sabotim, duke hapur kapitullin e luftës së klasave. Për të pestë u bë një gjyq i hapur në kinemanë “17 Nëntori”, me altoparlant. “Sabotim dhe bashkëpunim me agjenturën amerikane, për të sabotuar ekonominë shqiptare”, qe akuza.
Gjithçka u lidh edhe me faktin se Avduli ishte i vëllai i Ymerit dhe ky i fundit kishte qenë pedagog në Shkollën Teknike Amerikane në vitet 1923- 1933 dhe asokohe ishte jashtë shtetit. Një nga katër pedagogët shqiptare në “Harri Fullc” nuk u kthye më në Shqipëri. Dejvi tregon se 5 ditë pas këtij gjyqi, misioni amerikan iku nga Shqipëria dhe nuk u kthye më. Avdyli ishte projektuesi i tharjes së Kënetës së Maliqit dhe njëkohësisht drejtor i kantierit që merrej me zbatimin e punimeve. Gjyqi vijoi 15 ditë. U dënuan me varje. U ekzekutuan pikërisht në Kënetën e Maliqit, në prezencë të shumë personave, përfshi këtu edhe punëtorët që punuan për tharjen e Kënetës. Mes tyre ishte edhe një grua shtatzënë. Në fakt tharja e kënetës u realizua pikërisht siç ishte projekti i përpiluar nga Avduli.
Vrasja kishte edhe një qëllim tjetër. Zhdukjen e elitës intelektuale shqiptare. Ana tjetër e medaljes ishte të qëllohej edhe shtresa nga ata vinin. Goditej shtresa e pasur andej nga e kishin prejardhjen inxhinieri dhe të tjerët. Ka dhe një detaj për këtë gjyq. Nuk doli asnjëherë që kishte sabotim nga ana teknike. Silleshin thjesht fakte të cilat nuk kishin të bënin me projektin, por me furnizimin e punëtorëve e gjëra të tilla të kësaj natyre.
Dejvi tregon më pas rrjedhën kronologjike të persekutimeve. “Në 1946-n u bënë zgjedhjet e para dhe thanë se do të ishin pluraliste. Babanë e dënuan pasi mbështeti kandidatin opozitar. 6 muaj para se të dilte nga burgu, im atë Shyqyri Sharra, vrau veten. Me briskun e rrojës që mbante në qelinë e tij çau barkun dhe një ditë më pas, pasi nuk mori asnjë ndihmë mjekësore nga stafi i burgut, vdiq rrugës për në spital.
Vëllai tjetër i babait, Lekmiu, mbahej si sportist i mirë. Vdiq nga torturat. Lekmiu kishte vetëm pak muaj që ishte martuar. Kishte blerë një unazë për gruan dhe e kishte paguar me një flori. Iu kërkua se ku e kishte gjetur. Por arsyet ishin të tjera. Për vëllanë e inxhinierit të Maliqit, do të gjendej një shkak.
Xhaxhai im, Muharremi, pas 9 muajsh burg, u dënua me vdekje. E shoqja e tij më pas nuk kishte të ardhme më të mirë. Punoi 17 vjet me kazmë. Më tepër për ta nuk premtohej. I vetmi që shpëtoi nga vëllezërit Sharra, ishte Ceceni.
Një sportist shumë i mirë, por që jeta e tij thjesht kaloi nëpërmjet vullnetarëve që ndërtonin stadiumin e Vlorës, sot stadiumi “Flamurtari”, pa mundur të vijonte karrierën si sportist. I biri i tij, Agroni, po sportist i mirë, do të punonte në gurore. Motive që diheshin. Nuk iu lejua as shkollimi dhe as ushtrimi i sportit.
Dy djem të tjerë nga Sharrajt, Ymeri dhe Hysniu (i pari), qysh pas luftës, nuk u kthyen më në Shqipëri. U quajtën të arratisur. Fakti që ishin jashtë bëri që familjarët pasardhës të përjashtoheshin nga çdo lloj aktiviteti e shkollimi, duke u mbajtur në shënjestër.
HISTORIA Pritësit dhe mbështetësit e Ismail Qemalit
Në rrëfimin për prejardhjen e Sharrajve, mësohet se në fillim të shekullit XX ata ndërtuan një shtëpi të madhe në qendër të Vlorës, arkitekturë që për kohën nuk ishte e zakontë.
Dikur e njohur, sot gjurmë të saj mbeten vetëm në celuloid. Ndër personazhet më të njohura të kësaj familjeje shfaqen Hasan Sharra e Muço Sharra, që krahas veprimtarisë së tyre ekonomike, ndihmuan edhe lëvizjen kombëtare në Vlorë. Emrat e tyre përmenden në mjaft relacione të konsujve astro-hungarezë, italianë, belgë, francezë, si dhe njerëz me aktivitet dhe popullaritet në Vlorë, por edhe qytete të tjera si Durrës, Kavajë, Shkodër, Tiranë, Elbasan, Fier, etj.
Lidhjet e tyre të ngushta i kanë pasur me Jani Vrushon në Kajro (rilindas, patriot), Nikolla Naçon në Bukuresht, Petro Gogën në Stamboll (ish-ministër i Drejtësisë së Ismail Qemalit). Në fillim të vitit 1900, ku kryetar beledie (bashkie) i Vlorës ishte Shahin Kolonja, Sharrajt lidhën një miqësi të ngushtë dhe kohë pas kohe patën letërkëmbime.
Në vitin 1908 me krijimin e klubit “Labëria”, Hasan e Muço Sharra ishin anëtarë të këtij klubi dhe ndihmuan në përhapjen e gjuhës shqipe. Siç shkruan konsulli astro-hungarez Kraus “në muajin shtator vëllezërit Sharra ishin ndër më aktivët krahas Abaz Mezinit, Ibrahim Avdullahut, Alem Mehmetit, Shahin Harunit, Hamza Isait e Imer Radhimës, ishin komisioni për zgjedhjen e Ismail Qemalit në parlamentin turk.
Në vitin 1909, në qershor, për veprimtarinë e madhe atdhetare të klubit “Labëria”, u burgosën mjaft vlonjatë, midis tyre dhe Hasan Sharra etj, u arratisën në Itali, ku u takuan në Napoli dhe me Ismail Qemalin.
Vëllezërit Sharra dhanë një kontribut të veçantë në kryengritjen antiturke në Vlorë, Mallakastër, dhe Jug të Shqipërisë.
Në vitin 1912 Muço Sharra bënte pjesë në dërgatën e vlonjatëve që e pritën Ismail Qemalin në Vjosë.
Shtëpia e Hasan Sharrës, siç shkruajnë në kujtimet e tyre Luigj Gurakuqi, Qemal Karaosmani, Fejzi Alizoti, u bë baza ku ndenjti Ismail Qemali, Vehbi Dibra, Don Nikoll Kaçori, Mit’hat Frashëri e mjaft delegatë të tjerë të shpalljes së Pavarësisë. Ata i shërbyen qeverisë së Vlorës me përkushtim në ngritjen e administratës shtetërore dhe sidomos mbrojtjen e kufijve të jugut të Shqipërisë nga luftrat Ballkanike.
Qysh në themelimin e klubit Labëria dhe sidomos shpalljen e Pavarësisë në këtë familje u shfaq dhe një pinjoll tjetër, Çeno Sharra, i cili si ushtarak i lartë, mori pjesë në kryengritjet Haxhi Osmane dhe shërbeu pranë ministrit të Luftës, Mehmet Pashë Sërralla për formimin e ushtrisë Kombëtare Shqiptare.
Në vitin 1914, si ushtarak i lartë u vu në shërbim të princ Vidit dhe u vra në betejën e Durrësit, kundër rebelëve. Varrimi i tij u bë në Vlorë. Në luftën e Vlorës të 1920-s me urdhër të gjeneral Piaçentit, siç shkruan dhe gazeta italiane e Pulias, vëllezërit Sharra u internuan së bashku me Ali Asllanin, Bexhet Shapatin, Ibrahim Shytin dhe Jani Mingën në ishullin e Sazanit. Kronika thotë se i mbanin brenda në kafaz dhe ua hidhnin bukën në tokë.
Lista e të përndjekurve dhe të pushkatuarve;  Në vitin 1913 Ceno Sharra, komandant i xhandarmërisë së qeverisë së Vlorës në kohën e Ismail Qemalit, vritet në përpjekje me ushtrinë e Esat Pashë Toptanit, në Rrashbull të Durrësit, te Ura e Dajlanit. Vritet vetëm dy javë para martese.
– Në tetor të vitit 1943 vritet në Vlorë Haziz Sharra 29 vjeç, në një atentat
– Në 22 qershor 1945 dënohet me pushkatim vëllai i Hazizit, Muharrem Sharra, 32 vjeç. Ekzekutohet si pjesëtar i Ballit Kombëtar. Në vitin 1946, në tetor ekzekutohet me litar me varje, inxhinier Avdul Sharra, rreth 32 vjeç. Inxhinieri ishte një prej grupit të të pestëve që u akuzuan si sabotatorë në tharjen e Kënetës së Maliqit, si dhe agjent i shërbimit amerikan, drejtuar nga Harri Fullc.
-Shyqyri Sharra, 38 vjeç, vëllai i Avdulit. Vret veten në vitin 1950 në burgun e Rrushbullit, në Kampet e Punës, akt të cilin e kryen 6 muaj para se të përfundonte afatin e izolimit.
Lekmi Sharra 36 vjeç, vëllai tjetër i Avdul Sharrës, vdes në vitin 1953. E arrestojnë 6 muaj pas martesës, kur e shoqja ishte shtatzënë me një vajzë. Familjarët thonë se vdiq si pasojë e torturave në hetuesinë e Vlorës.
Astrit Sharra dënohet me 10 vjet burg për agjitacion dhe propogandë e tentativë arratisje. Vdes 7 vjet më pas nga sëmundja e kancerit.
– Në vitin 1953 arrestohet për agjitacion dhe propagandë Muço Sharra, 65 vjeç. Vuajti dënimin prej 5 vjetësh. Vdiq në azil disa vjet më vonë.
-Musa Sharra u internua familjarisht në fshatin Sherishtë të Vlorës në vitet 1950- 1954.
Hasan Sharra (djali i Astritit), arratiset me not në Sarandë. Sot ndodhet në Amerikë.
-Familja e Astrit Sharrës u dënua 5 vjet në fshatin Vërmik, pas dënimit të kryefamiljarit dhe arratisjes së djalit.
-Hysni Sharra dhe Ymer Sharra, vëllezër të Avdulit, larguar që para çlirimit, në Itali që në vitin 1940, nuk u kthyen më në Shqipëri. Shkak ishte edhe persekutimi i familjarëve. Aty edhe ndërruan jetë.
– Muharremi, djali i xhaxhait të Avdulit, në vitin 1945, pasi kishte bërë pas 9 muaj burg, dënohet me vdekje.
Pasioni për foton:  Një foto, dy të posafejuar 4 dhe 5 vjeç.
Ajo që të bie në sy teksa hyn tek shtëpitë e Sharrajve, janë fotografitë. Një mori fotosh që kanë fokusuar momente të ndryshme. Shumë prej tyre pa ngjyra në një arkivë shumë të pasur, ruajtur me fanatizëm.
Lloj-lloj periudhash mund të gjesh në shtëpitë e sotme të Sharrajve, të cilat përcjellin pjesëza historie dhe personazhesh. Teksa na tregojnë fotot në shtëpinë e Shpëtim Sharrës, ku gjendet dhe arkiva më e plotë, pohojnë se ato janë ruajtur në fshehtësi, nga frika e zbulimit të agjentëve të asaj kohe. Janë jo pak nga njerëzit e ngrirë në foto, endur në rrethet vicioze të internimeve, të tjerë të pushkatuar, secili prej tyre një histori. Ndoshta më të çliruar duken ata që vijnë nga fotot më të reja në kohë. Nipër dhe mbesa, disa prej të cilëve ndodhen jashtë. Midis morisë së fotove, e fokusuar është edhe një histori fejese, tepër e veçantë e cila daton nga viti 1922.
Për ta bërë më të fortë miqësinë mes dy familjeve të vjetra vlonjate, Muço Sharra dhe Beqir Agalliu vendosën të lidhnin me martesë dy fëmijët e tyre, përkatësisht katër dhe pesë vjeç. U martuan 15 vjet më pas, por fati i martesës nuk u priu. Ai shkoi në burg, ndërsa gruaja thjesht rriti katër fëmijët, duke bërë punë nga më të rëndat
Disa figura të njohura nga Sharrajt
Ka nxjerrë shkencëtarë si Ymer Sharra (së fundmi qytetar Nderi i Qarkut)
Cecen Sharra, mjeshtër sporti
Abdyl Sharra – inxhinier i pushkatuar në Maliq, sot “Dëshmor i Demokracisë”
Devi Sharra – asistent inxhinier
Elham Sharra – ish-kryetar bashkie i Vlorës
Agron Sharra – kryetar i Qarkut Vlorë
Pinjolli i fundit i Sharrajve, Hysni Sharra drejtor i Tatim-Taksave të Vlorës
Detaj: Në vitin 1914 me propozimin e Ibrahim Avdullahut, në shtëpinë e Sharrajve u vendos KNK (Komisioni Kontrollit Ndërkombëtar) për kalimin e pushtetit nga Ismail Qemali tek Princ Vidi. Meqenëse asokohe në Vlorë pati përmbytje dhe u përmbyt Skela, me ikjen e Ismail Qemalit në janar të 1914, po në këtë shtëpi u vendos edhe administrata shtetërore.
Shtëpia e Sharrajve ka pasur arkitekturën më të veçantë në Vlorë. Ajo ndodhej në qendër të qytetit, aty ku sot ndodhet struktura e hotelit, pranë Katër Topat. “Siç më kanë treguar të parët- shpjegon Devi, shtëpia merrte një atmosferë tjetër në 28 Nëntor. Festa e 28 nëntorit ka qenë një traditë, madje shtëpia vishej dhe me drita. Në dhomën e pritjes kanë patur foton e Hasan Prishtinës”.
Shtëpia e madhe, një shtëpi me 18 dhoma. E bërë me katër hyrje për katër vëllezër. Për të filloi puna rreth vitit 1890 dhe përfundon në vitin 1910. Shtëpia rezistoi derisa u ndërtua hoteli i madh i papërfunduar sot. Ndërtimi i shtëpisë ka qenë komplet me gurë të gdhendur. Në shtëpi është pritur qeveria e Vlorës. Por më pas familja ndahet dhe një pjesë e tyre jetojnë në një shtëpi tjetër, në lagjen Partizani, ish-shtëpia e fëmijës.
Kur familja u nxorr nga shtëpia, ajo u përdor si shtëpi fëmije dhe kopsht. Një tjetër godinë ka qenë në anë të rrugës transballkanike dhe gjithë kohës është quajtur Shtëpia e Verdhë. Familjarët Sharra nuk jetuan asnjë ditë në të.
Sharrajt sot; Mjaftonte të përmendej dikur Avduli apo fletët e librit të ishin hapur për kënetën e Maliqit, tek romani “Këneta” apo antologji të tjera, që Sharrajt e tjerë të ulnin kokën. Asnjë nuk kishte të drejtë të vijonte shkollën e lartë, edhe pse shumë prej tyre ishin nxënës të mirë. Gjithçka ndryshoi pas viteve 90.
Sot shumë nga Sharrajt gjenden në Vlorë. Jo pak jetojnë jashtë kufijve. Të dy fëmijët e Avdulit, vajzë e djalë, Zana dhe Selaudini jetojnë në Itali, të martuar me fëmijë. Vajza e Lekmiut, Vjollca, rreth 56 vjeçe sot jeton në Amerikë. Po jashtë shtetit ka edhe nipër e mbesa të tjerë, të cilët punojnë në vende të tilla si në Londër, Turqi, Itali, Norvegji, Amerikë, etj.
Kush është Dejvi Sharra: Dejvi është 75 vjeç. Njihet në Vlorë si inxhinier, edhe pse realizimin dhe titullin e ka asistent inxhinier, këto të fituara më tepër nga praktika sesa nga shkolla. Shkollimi iu mohua. Titullin asistent inxhinier ia dha ish-ministri i Ndërtimit Josif Pashko, në vitin 1962 me rastin e përfundimit të punimeve të Frigoriferit të Vlorës, vepër e lënë përgjysmë nga specialistë gjermanë.
Fabrika e Tullave, Depot e Karburantit në Vlorë, Frigoriferi (në dy faza), godina e PTT-së (sot Posta Qendrore), Fabrika e Çimentos, Kompleksi Ushqimor, Spitali i Qytetit (kapacitet 500 shtretër), Godina e Hidrocentralit të Smokthinës, Fabrika e Vajit e shumë nga pallatet në Vlorë mbajnë firmën e zbatimit të Dejvit, objekte që karakterizohen si cilësore.
Ai shpjegon se po të lexosh karakteristikën e tij të kohës së para ’90-s, do të vësh re se aty shkruhej se “i bën këto, por nga frika, jo nga dëshira”. “Nuk mora asnjëherë fletë nderi, jo më shpërblime të tjera”, tregon Dejvi.
Pas vitit 1990, për rreth 7 vjet, drejtoi Ndërmarrjen e Ndërtimit “Perlat Rexhepi & Sijav Construction” dhe deri një vit më parë punon si supervizor kryesisht me objektet që financoheshin nga fondacioni “Soros”.
Dejvi tregon: Unë e pata fatin paksa më ndryshe, për shkak të pozicionit të punës me te cilin merresha. Kushërinjtë e mi, ata që nuk ishin pjesë e internimeve, bënin punë të tilla si murator, bojaxhi, punonjës të thjeshtë ndërtimi apo edhe punë të tjera në sektorë të vështirë. Nënat tona gjithashtu punonin në ullishte, apo komunale. Shkonin edhe në ferma. Në Dukat. Në kohën e komunizmit shkonin dhe nga një javë që punonin fshatrave. Flas për nënat, pasi baballarët na i zhdukën…”Vlora Ime.