Opinion nga Josif Papagjoni, shkrimtarë dhe studiues në Himarë në një bashkëbisedim

Opinion nga Josif Papagjoni, shkrimtarë dhe studiues në Himarë në një bashkëbisedim

August 5, 2018 0 By VloraLajme

Më 4 gusht shkrimtarët dhe studiuesit e bashkisë Himarë, banorë aty apo me rrënjë gjaku, – në fshatin Pilur, te rrapi shekullor, në “Ballkonin e Bregut”, ku qielli, toka bëhen një e deti tutje sikur e zgjeron vetë shpirtin e njeriut, u mblodhëm dhe promovuam nr. 8 të antologjisë sonë letrare studimore “Shtigjeve të vendlindjes”… Bukuri e madhe!… Është e ëmbël për ne kjo përmbledhje, unikale në Shqipëri, e iniciuar 10 vjet më parë dhe e mbështetur nga kryetari i Komunës së dikurshme të Lukovës Vladimir Kumiu, e dy vjet më parë nga kryebashkiaku i Himarës Jorgo Goro. Këtë vit kishim emra e shkrime domethënëse nga profesorët Pëllumb Xhufi, Çapajev Gjokutaj, Bardhosh Gaçe, Përparim Kabo, Ferid Hudhri, Josif Papagjoni, dr. e shkencave Irena Gjoni e Blegina Hasko, eseistet Fatmir Minguli, Stefan Martiko, Miho Gjini, Timo Mërkuri, Thanas Boçi, Robert Goro, Andrea Petromilo, poetët e shquar Ilirian Zhupa, Agim Mato, Lefter Vogli, Hiqmet Meçe, Robert Martiko, duke vijuar me Rudina Papajanin, Maksi Lucin, Albert Habazaj,Vullnet Mato, Margarita Mertiri, shkrimtarët Spiro Thomari, Andrea Petromilo, Koço Vogli, Petraq Pali, Dionis Kola, Edmond Llaçi, Kristo Çipa, Ideal e Mentor Serjani, Pirro Minguli e Kristo Çipa, e gjer tek romancierët Erjon Papagjoni, Kleo Lati, Robert Goro etj.
Ne kemi bërë promovime të bukura si festa dashurie dhe respekti mes shkrimtarëve bregas. Këtë vit e kishim dyfishuar lëndën, nga 200 faqe në 420 faqe. Me një besim gati paranojak iu drejtova kryeministrit të vendit për të qenë pranë nesh si artist. Për të atin e tij, Kristaq Rama, kam pasur një respekt të thellë kur isha pedagog i ri në Akademinë e Arteve, më është dukur nga burrat më fisnikë të kohës, një pedagog plot humanizëm, dinjitet, autoritet, i kulturuar, me sqimë dhe tejet modest, gati si me turp për tepritë e të tjerëve. Dhe njeriu njihet veçanërisht mirë në zboret njëmujore që bënim, në kapanonin ku jetonim si pedagogë, po them si kope dhe me ato zvarritjet poshtë telave me gjemba, makaronat e thata të djegura dhe pilafin gjithë mel, ku figura e intelektualit poshtërohej asisoj si rrallë gjetkë dhe e ndjeje veten një kot, etj, etj. Asaj kohe (1973-1974) pata një periudhë të vështirë, më larguan nga Instituti i Lartë i Arteve drejt e në Fush Arës me sharraxhinjtë, çizmet, barakën me dru gjithë plasa ku flija me ta dhe kapotat e pambukta. Ky njeri më ka mbetur në mendje për fjalën inkurajuese që më tha asaj kohe të vështirë, i trembur, i ri, jugor, ardhur nga deti dhe butësia… Doja ta thosha këtë, ani pse nuk lidhet me promovimin e librit tonë.
E pra më shkrepi dhe i shkrova një letër Edi Ramës dhe e ftova në promovimin e kësaj përmbledhjeje edhe si një mundësi vlerësimi, ndoshta garancie që ne ta vijonim më tej këtë botim të vyer për krahinën tonë. E ç’ndihmesë tjetër mund të jap unë për krahinën time veçse me ca germa?! Dhe u habita kur, fjalës sime të fundit: “Ju ftojmë që të na nderoni në promovimin e përmbledhjes sonë”, në celularin tim erdhi saora mesazhi tij: Me kënaqësi. E kishim caktuar në Borsh, mes ujërave, por për arsye kot (ndoshta punë fitimesh nga ana e lokalit), promovimi u zhvendos në fshatin Pilur. I shkrova serish Edi Ramës dhe mendova se kryeministri i një vendi s’do merret me “lodrat tona”. Por sërish u habita kur më erdhi mesazhi i tij: “Do të jem patjetër!”.
Dhe e mbajti fjalën, erdhi. Unë kisha një parandjenjë se ky njeri rrënjët nga e ëma i kishte nga Vunoi. Dhe bëri një gjest të zgjuar. Nuk erdhi me shpurën e kameramanëve, rojave, ndjekësve, me tam-tame. Erdhi vetëm me ministrin bregas Damian Gjiknuri, veshur në mënyrë sportive, verore. Erdhi si artist, si mik i yni. Kam dëgjuar ca gojë poshtë e lart se na paska përdoruar për interest e tij politike dhe elektorale. Gjepura! Çfarë mendjesh mediokre, çfarë idiotësie dhe keqdashjeje. Jo, erdhi fare thjeshtë, u ulëm rreth rrapit, ne sofat; rrinte e na dëgjonte, na respektonte. Kryeministri i një vendi është një institucion, nuk është thjesht personi. Institucioni më i lartë i shtetit na respektoi dhe për këtë e falenderoj me shpirt. As kam qenë dalluar ndonjëherë për frikë e servilizëm ndaj të mëdhenjëve të shtetit, se e ndjej veten bukur mirë me veten time, me punën time, me atë çka kam bërë dhe s’ia kam pasur nevojën kurrkujt, asnjë kryeministri. Por gjesti i tij më preku vërtet, andaj nuk më vjen hiç mirë nga ndonjë mik a shok që e quan këtë promovim si “përdorim” nga ana e kryeministrit. Jo miq! Është thjesht respect nga ana tij, fisnikëri, vlërësim për antologjinë tonë. Shkrimtarët kanë integritetin e tyre intelektual, s’kanë nevojë për kryeministra. Aq më tepër kur vjen edhe në një moshë si puna ime…
E pra, qemë grumbulluar në Pilur shumë vetë, gjithë fshati qe shkulur aty, edhe ne shkrimtarë e artistë mbi 60 a 70 vetë, qemë bërë tok. Recituam vargje, folëm për letërsinë, artet, impaktin e shkrimtarit me lexuesin, publikun, folëm për shumëçka, dhe bisedat tona, afërmendsh, u bënë më të bukura pranë një gote birre, rakie, vere, një dreke të begatë të shtruar nga ana e Bashkisë Himarë. Dy grupe folklorike, ai i Pilurit me vargjet e bilbilit nga Piluri, Leftër Çipës, dhe ai i Himarës me vargjet e të mrekullueshmit bregdetas, Neço Muko, që regjistroi në Paris zërin e Tefta Tashko Koços, e lezetuan bukur mirë bashkëbisedën. Na e zbukuruan mbremjet edhe recitimet e Rudina Papajanit, Irena Gjonit, Vasil Gjivoglit, aktorja e estrades Sarande, Valentina. Fjalë të mençura thanë Miho Gjini, Ilirian Zhupa, Diana Çuli, Aleksander Çipa e Lefter Çipa, Bardhosh Gaçe etj.
Jeta rrjedh, njerëz ikin e të tjerë vijnë në fushën e letrave, andaj njeriu i therrët herë pas here mbamendjes, kujtesës, nderimit, mallëngjimit. Në mbajtëm një minutë heshtje për emrin e intelektualit dhe shkrimtarit të shquar, njeriut të mirë, korrekt, atdhedashës, të urtë, Llambro Ruci që u shua para pak kohësh.
Aty, te rrapi ku bëhen kuvendet, ndonjë gjë edhe na iku për duarsh, dhe nga poezia shkuam edhe te hallet e popullit, se s’e lëshonin kollaj piluriotët kryeministrin pa i marrë një premtim për sjelljen e ujit lart në fshat. Dhe me ato mprehtësitë e tij, Rama m’u drejtua: “Josif, ujin e kam unë, mbrëmjen e ardhshme poetike e ke ti”, duke garantuar kështu mbështetjen për numrin tjetër të përmbledhjes sonë letrare studimore. Madje ai hodhi dhe një ide interesante: “Të bëhet Dita e Poezisë, dhe të mblidhemi në mbrëmje e gjithë natën, jo në drekë e në vapë; dhe ta konceptojmë si darkë poetike duke biseduar, duke u argëtuar, kënduar, vallëzuar, në një solidaritet të bukur shkrimtarësh dhe njerëzish…” Ide që të intrigon për një projekt. Të shohim!
Sot e rëndësishme është se u kënaqëm me njëri-tjetrin, se një premtim për mbështetje nga bashkia Himarë e morëm, pse jot ë fantazojmë edhe diçka më të bukur nesër…

This slideshow requires JavaScript.