Prek trashëgiminë\ Kalaja e Mavrovës (Qyteti Ilir Olympe)

Prek trashëgiminë\ Kalaja e Mavrovës (Qyteti Ilir Olympe)

August 3, 2018 0 By VloraLajme

Prek trashëgiminë 🇦🇱

Kalaja e Mavrovës (Qyteti Ilir Olympe)

Statusi i objektit: Është shpallur monument kulture i kategorisë së parë, nga Rektorati i Universitetit Shtetëror me vendim nr. 6, datë 25.01.1963.

Viti/koha e ndërtimit: Shek. VI para. Kr.

Vendndodhja: Fshati Mavrovë, Bashkia Selenicë.

Përshkrimi: Qyteti antik i Olympes shtrihet mbi kodrën e Rrethunit (284 m mbi nivelin e detit), në krahë të djathtë të lumit Shushicë, ku ndodhet fshati Mavrovë i rrethit të Vlorës. Prej saj kontrollohet një pjesë e luginës së mesme të Shushicës dhe degëzimi i rrugëve natyrore, që shkojnë drejt Kaonisë, apo vazhdojnë drejt Amantias. Qyteti antik shtrihej midis dy majave të kodrës dhe në shpatin perëndimor të saj, ndërsa ana lindore pritet nga një rënie e pakalueshme shkëmbore. Në fortifikimet e qytetit dallohen dy periudha ndërtimi në dy linja të ndryshme muresh. Rrethimi i parë qarkon vetëm pjesën jugore dhe lë të hapur pjesën e pakalueshme shkëmbore, duke krijuar një akropol. Muri është i ndërtuar me blloqe të mëdhenj gëlqerorë me forma trapezoidale me faqe të palatuara të vendosur në rreshta të shkallëzuar. Periudha e parë e fortifikimit në Olympe datohet në fund të shek.V p. kr. Fortifikimi i fazës së dytë që nis në mesin e shek. IV p.kr, përfshin dyfishin e sipërfaqes me një mur 1500 m të gjatë. Gërmimet arkeologjike dëshmojnë se kodra ka qenë e banuar që në shek. VI p. Kr, përpara se vendbanimi të fortifikohet.
Vëmendja mbi qytetin Ilir të Olympes, të përmendur nga Stefan Bizantini, është tërhequr fillimisht nga arkeologu Hasan Ceka, që botoi për herë të parë monedhat prej bronzi të këtij qyteti. Gërmimet arkeologjike të kryera në vitet 1974 dhe 1978 nën drejtimin e arkeologut Burhan Dautaj, u përqendruan në zbulimin e mureve rrethuese të qytetit, sqarimin e stratigrafisë së vendbanimit dhe kërkime të kufizuara në nekropol. Burhan Dautaj ka meritën se nëpërmjet këtyre gërmimeve dhe gjetjeve të shumta të monedhave së bashku me disa fragmente tjegullash që mbanin vulën Olympastan, identifikoi në rrënojat e Mavrovës qytetin antik të Olympes.
Burimet epigrafike, përmasat e konsiderueshme të qytetit (Rreth 19 ha) si dhe të dhënat numizmatike tregojnë se Olympe ka qenë një ndër qendrat më të rëndësishme të Ilirisë së Jugut. Ajo ka luajtur një rol të pavarur politik dhe ka patur një peshë të rëndësishme ekonomike në territorin e Koinonit të Amantëve.

Bibliografia: Dautaj. B., Kalaja e Mavrovës dhe identifikimi i saj me qytetin ilir Olympe, Iliria, XI, 1, 1981, f. 57-91; Dautaj. B., Gërmime arkeologjike të vitit 1990: Olympe, Iliria, 2, 1990, f. 266-267; Mano. A, Dautja. B., Një mbishkrim nga Olympe e Ilirisë, Iliria, XIV, 2, 1984, f. 109-118.

Funksioni: Ka qenë qytet antik, sot është monument kulture.

Hyrja: Pa biletë.

Itinerari: Drejt rrënojave të qytetit Ilir Olympe, mund të shkoni me çdo mjet transporti, duke ndjekur rrugën nga qyteti i Vlorës drejt fshati Mavrovë.

Pozicioni në Google Map:
https://goo.gl/maps/Lcw87qeBguS2